Shërbimet ruse të sigurisë bastisën pallatin e shefit të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin në Shën Petersburg, ku gjetën armë, municione, shufra ari dhe një dollap plot me paruke në rezidencën luksoze.

 

 

 

Gazeta pro-Kremlinit Izvestia publikoi dje fotografi dhe një video të bastisjes, në të cilën u gjetën edhe pasaporta të rreme dhe një fotografi që dyshohet se tregonte kokat e prera të armiqve të Prigozhinit.

 

Dukej gjithashtu se brenda pallatit të Prigozhinit, kishte një dhomë private lutjesh, e zbukuruar me shumë ikona fetare nga Kisha Ortodokse Ruse.

Sasi të mëdha parash në monedha të ndryshme u zbuluan në rezidencë, tha FSB-ja ruse, si dhe një uniformë ushtarake me rreth njëzet medalje.

 

Një program i quajtur “60 Minuta” i transmetuar të mërkurën mbrëma në kanalin televiziv shtetëror Rossiya-1 shfaqi pamjet ekskluzive të bastisjes së policisë në pallatin dhe pronat e tjera të Prigozhinit në Shën Petersburg.

 

Drejtuesi i programit, deputeti Yevgenij Popov, e quajti Prigozhinin “tradhtar”, ndërkaq videoja u prezantua nga gazetari Eduard Petrov.

 

Pamjet tregonin shumë pasaporta të përdorura nga Prigozhin, të cilat mbajnë emra të ndryshëm. “Një njeri normal nuk mund të ketë kaq shumë pasaporta”, tha Petrov.

 

“Pse ky person kishte fuqi kaq të çuditshme si drejtues i një grupi kriminal”, pyeti ai. “Ne duhet të zbulojmë se kush ishte në anën e kujt (në rebelim). Duhet t’i ndëshkojmë dhe t’i ndjekim penalisht.”