Radhë të gjata janë krijuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku qindra automjete të transportit të mallrave kanë qëndruar në pritje për më shumë se 8 orë.Sipas shoferëve shkak u bë mbarimi i afatit të kontratës në terminal.

 

Shoferët e mjeteve deklarojnë se radhët janë krijuar për shkak të mbarimit të afatit të kontratës në terminal, ndërsa një pjesë e tyre nuk kanë informacion se pse është shkaktuar kjo situatë.Në të tilla raste mjetet e transportit të mallrave duhet të kalojnë tranzit për procedura të mëtejshme në terminalin e Prishtinës për tu rikthyer në destinacionet përkatëse.

 

Por prej disa javësh në doganën e Kosovës ka defekt njëra prej peshoreve, e nga dy korsi dedikuar për mjetet e renda, funksionon vetëm njëra prej tyre duke shkaktuar radhë kilometrike thuajse çdo mbrëmje.

 

Pika kufitare e përbashkët Shqipëri -Kosovë dhe dogana, po mbajnë peshën kryesore të eksporteve dhe importeve jo vetëm me Kosovën por edhe me shtetet e tjera të rajonit e më gjerë, të cilat përdorin rrugën e kombit dhe kufirin si tranzit.

 

Kontrata në terminalin e Prizrenit ka skaduar ditën e djeshme për mallrat që hynë nga Shqipëria, duke sjellë radhë të gjata në kufi.