Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se refuzimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama është veprim skandaloz.
Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se kryeministri i Shqipërisë, Rama ka plotësuar tashmë kushtin e kryeministrit për nënshkrimin e marrëveshje, ku kërkoi nga kryeministri Kurti që të ketë takim.
Tahiri, tha se Rama vjen si një përfaqësues i një shteti që është anëtar në NATO dhe jo si një individ.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vjen në shtëpinë e vet, tek vëllezërit e motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë nga Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që e bënë të turpshëm secilin shqiptar që frymon dhe mendon shqip. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat, ai përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s. Takimi duhet të ndodhë, sepse Edi Rama ka bërë edhe një hap tutje që ka urdhëruar të gjithë ministrat e vet që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare në mënyrë që të plotësohet edhe kushti i kryeministrit, Kurti. Këto kushtëzime jo që bien ndesh me synimet tona politike por zbardhin një agjendë mashtruese që ka pasur Kurti, duke nisur prej platformës të Bashkimit Kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend. Shoh një veprim skandaloz dhe kërkesa jonë është që të ketë takim”, tha Tahiri.
Tahiri tha se i qëndrojnë prapa mocionit për rrëzimin e qeverisë, për çka theksoi se është i bindur që shumica opozitare është e gatshme për një gjë të tillë.
“AAK në këto dy vite e gjysmë ka pasur pozicione shumë të qarta në Kuvend, ka pasur momente kur i kemi thënë jo dhe po ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në fakt marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ne kemi ngritur një mocion sepse mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Kemi qenë shumë të qartë nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë ne ato i bëjmë në Kuvend, përderisa në aspektin e bojkotimit kemi marrë një vendim i cili do të reflekton në komisione, kryesi e seancë. Mirëpo e shohim rrugën tjetër, që partitë opizitore që kanë biseduar me shefat e grupeve, kanë shprehur gatishmëri, t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellin një vendim në Kuvend. Jam i bindur se një shumicë shqiptare pa ‘Listën Srbska’ është e gatshme që t’ia jap verdiktin e merituar kësaj qeverie”, tha Tahiri.