Kanioni Karanlık në provincën e Erzincanit në Türkiyen lindore, bën pjesë në mesin e pikave të rëndësishme të turistëve me bukuritë natyrore, shtegun e gurtë dhe aktivitetet që organizohen.

Kanioni Karanlık në rrethin Kemaliye, i cili është në Listën e Trashëgimisë së Përkohshme Botërore të UNESCO-s, me ekosistemin e tij të mbyllur, strukturën gjeografike dhe bukuritë natyrore, mirëpret çdo vit shumë vizitorë vendas dhe të huaj që janë të apasionuar pas adrenalinës.

Në shpatin e kanionit, rruga prej guri prej 7 kilometrash me 38 tunele, me kthesat dhe shkëmbinjtë e saj të mprehtë, ofron momente të paharrueshme për adhuruesit e aventurës.

I konsideruar ndër bukuritë natyrore të rralla të botës që mund të shihen edhe në Kanionin e Madh në SHBA dhe Alpet në Evropë, Kanioni Karanlık përbëhet nga shpate të pjerrëta shkëmbore prej 800 metrash në të dyja anët.

Kanioni është vendi i shumë organizimeve, si kërcime me "Wingsuit", "rafting", lundrimi me kaike, rrëshqitja në ujë dhe "zipline".

Turistët vendas dhe të huaj që vijnë në këtë atraksion kalojnë kohë të këndshme veçanërisht në xhiron me varkë që zgjat afërsisht 40 minuta, ndërsa aty kanë mundësi të shijojnë më ndryshe lindjen dhe perëndimin e diellit.

Po ashtu, zona e kanionit është habitat i gjallesave të ndryshme të botës së egër, duke përfshirë rrëqebullin dhe dhinë e egër.

Umut Bayrak, organizues turesh me varkë në kanion, tha për Anadolu se brenda një sezoni presin afërsisht 70 mijë turistë vendas dhe të huaj.

Sipas tij, për të parë rrugën prej guri vijnë edhe motoçiklistë dhe shëtitës nga vende të huaja.

"Sportistët e huaj në përgjithësi janë nga Australia, Kanadaja dhe SHBA-ja", thotë Bayrak.

Ndërkaq, Seyit Cebre, vizitor, shprehet se ky lokacion është qetësues në aspektin psikologjik, ku krahas sporteve që ngjallin adrenalinë, gjendet edhe rruga e gurit.

"Në kanion ka edhe zona për kampim, ku njerëzit vendosin tenda...Është një mjedis plotësisht natyror. Këtu mund të marrim frymë lirshëm", thekson Cebre.

Rümeysa Özge, e cila viziton Kanionin Karanlık për herë të parë, e përshkruan si të mahnitshme pamjen e kësaj bukurie natyrore.

"Ka një pamje të mrekullueshme, veçanërisht gjatë perëndimit të diellit. Na pëlqeu shumë. U rekomandojmë të gjithëve të vijnë dhe të shohin këtë vend", tha ajo./AA