Prokuroria e Sarandës ka marrë të pandehur dhe kërkon dërgimin në gjyq të çështjes ndaj ish-përgjegjësit të IKMT Sarandë, Julian Preni. Hetimet fillestare për Prenin janë kryer nga SPAK për veprën penale “korrupsion pasiv”, por për shkak se nuk është arritur të provohet kjo vepër penale dhe në baze të dyshimeve se është konsumuar vepra tjetër “shpërdorim detyre”, dosja është transferuar në Prokurorinë e Sarandës.
Nga të dhënat e sistemit gjyqësor, mësohet se ka qenë Prokurori Kledian Llaho ai që ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen ndaj Prenit, i cili drejtoi IKMT e Sarandës në periudhën 2019-2020.
Seanca e parë për dërgimin e çështjes në gjyq, sipas sistemit gjyqësor, është parashikuar të hënën, nën drejtimin e Suela Xhanit. Preni mësohet se akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me disa raste të lejimit të ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë Sarandë.