Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se SPAK nuk duhet të mjaftohet vetëm me Arben Ahmetajn duke shtuar se kushdo që ka grabitur paratë e qytetarëve të marrë dënimin e merituar.

 

 

Gjithashtu ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës kryesor të grabitjes së miliona eurove të shqiptarëve.

 

Ky reagim i Bashës, vjen pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e Arben Ahmetajt.

 

 

REAGIMI:

 

Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj, pas një beteje të gjatë të Partisë Demokratike për aferën e inceneratorëve, duhet përshëndetur por nuk mund të ndalet me kaq.

 

Promotori dhe mbrojtësi i shpërdorimit të 430 milionë eurove të shqiptarëve është Edi Rama. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund, sepse askush nuk mund të jetë mbi ligjin! Sot është më jetik se kurrë vetting-u i politikanëve, verifikimi i pasurive dhe lidhjeve të tyre me krimin që mbajnë peng Shqipërinë, dhe godasin sigurinë dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.