Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një deklaratë për mediat u shpreh se regjistrimet audio të publikuara nga gazetari, Artan Hoxha, për 21 Janarin, janë prova të reja që përmbajnë të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve dhe gjykimeve të mëparshme.

 

Sipas Gjiknurit, në audio faktohet se vrasjet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe jo nga pakujdesia siç konstatoi gjykata në vitin 2013.

 

Më tej ai tha se PS i kërkon Prokurorisë së Posaçme të zhvillojë hetime konkrete, gjithëpërfshirëse ndaj të kallëzuarve si dhe personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve.

 

 “Prova e re e bërë publike në media nga gazetari Artan Hoxha përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve dhe gjykimeve të mëparshme. Në dinamikën e komunikimeve rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve të pafajshëm. Urdhra, të cilat nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë. Faktohet tashmë me audio se vrasjet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe jo nga pakujdesia siç konstatoi gjykata në vitin 2013. Përfshirja e ministrit Lulzim Basha në komunikimin me radio rezulton e provuar katërcipërisht dhe ky fakt krijon dyshime të arsyeshme bazuar se ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejtë me efektivët e Gardës është bërë me porosi për të dhënë urdhrin e Sali Berishës, i kallëzuari tjetër si personi më i pushtetshëm i asaj kohe. Nga deklarimet e bëra publike para dhe pas ngjarjes të të kallëzuarit Sali Berisha, ish-kryeministër, krijohet bindja përtej çdo dyshimi se ai vetë ka qenë në drejtimin e veprimeve të Gardës nëpërmjet komunikimit direkt me të kallëzuarin Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi. Provat e reja janë vendimtare tashmë dhe të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Ndrea Prendin pasi nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia, por me një vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Por sipas këtyre provave janë krijuar kushte të mjaftueshme për të regjistruar nga SPAK të një procedimi penal ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për veprimet e kryera më 21 Janar 2011. PS i kërkon Prokurorisë së Posaçme të zhvillojë hetime konkrete, gjithëpërfshirëse ndaj të kallëzuarve si dhe personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 4 shtetasve. SPAK duhet të zbulojë pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të operacionit të Gardës më 21 Janar, kur nuk e kanë detyrë ligjore ta bëjnë një gjë të tillë. SPAK duhet të zbulojë kush ishte autoriteti i lartë nga i cili Ndrea Prendi priste dhe mori urdhra. SPAK duhet të zbulojë kush dhe pse ia nxiu syrin komandantit të Gardës. SPAK duhet të zbulojë kush e inskenoi dhe promovoi në publik skenarin e vrasjeve nga brenda turmës. SPAK duhet të zbulojë kush e pengoi prokurorinë të ekzekutonte urdhër-arrestet për grupet e zjarrit të Gardës në orët e para pas ngjarjes. SPAK duhet të zbulojë kush urdhëroi dhe kush fshiu serverin e Kryeministrisë me pamjet e kamerave. PS e Shqipërisë nuk është pushtet gjyqësor. Qeveria nuk është trupë gjykuese dhe as kryeministri nuk është prokuror. Për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo që gishtin e përgjegjësisë për moszbardhjen e ngjarjes e ka drejtuar edhe tek PS në kushtet kur drejtësia ka zgjedhur të tallet me drejtësinë, ndërsa urdhëruesit dhe vrasësit ia kanë hedhur paq. Ne besuam tek drejtësia e re, ishim nismëtarë dhe garantë të reformës në drejtësi, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë mbi kurriz hijen e zhgënjimit të atyre që duan drejtësi për 21 Janarin. Provat e reja janë të mjaftueshme. Të dyshuarit kanë emra dhe mbiemra konkretë, organet e drejtësisë nuk mund të flenë më mbi këtë dosje gjaku. Duhet vepruar tani. Çdo ditë e humbur është vonë”, tha Gjiknuri.