Ish-deputeti i PS-së, Ervin Bushati në një intervistë për Panorama TV tha se në Shqipëri duhet të ngrihet një “Gardë Finance”, me qëllim për të goditur krimin e organizuar.

 

 

Sipas Bushatit, “policia i ka muskujt për ta goditur krimin, por në fakt për të fituar betejën, luftën duhet një mendje e organizuar”.

Ai tha se tashmë lufta kundër krimit të organizuar duhet të përqendrohet tek kapitali, pikërisht aty ku i djeg më shumë. Bushati u shpreh se duhet t’i bllokohen kapitalet dhe jo t’u hiqen kamerat apo sekuestrohen armët.

“Pra ka ardhur koha që të merret nga pikëpamja ekonomike lufta kundër krimit të organizuar dhe ti bllokon kapitali, sepse aty i djeg. Unë mendoj se duhet të merren financat me këtë punë. Dhe duhet të  ngrihet një Gardë Finance”, theksoi nder te tjera Ervin Bushati.

Pjese nga intervista

Pyetje: PS ka tashmë ish ministra në burg, zyrtar, e fundit zonja Klosi që ndodhet para drejtësisë për një shumë mbi gjysmë milioni euro të padeklaruar. A ka ndonjë mekanizëm për të goditur fenomene të tilla?

Bushati: Me raste personale merret drejtësia. Por këto janë simptoma që tregojnë se demokracia e re, pra një foshnje po tregon simptoma të korrupsionit, infiltrimit të krimit të organizuar, çështje që duhen zgjidhur. Këto janë diskutime që duhen bërë në politikë.

Duhet një reformë në financat publike për të krijuar një rrjet mbështetëse për shtresat në nevojë. Nuk është normale që floriri dhe mielli të kenë të njëjtën TVSH.

E dyta është për kapitalin. Patjetër duhet menduar si të luftohet krimi i organizuar. Policia i ka muskujt për ta bërë, por në fakt për të fituar betejën, luftën duhet një mendje e organizuar.

Unë mendoj që ka ardhur koha që Rama të ngrejë një “Gardë Finance” përballë mafies.

Problemi shqiptar është më i gjerë sesa shqiptar. Krimi i organizuar shqiptar në Evropë menaxhon më shumë para sesa është tregu shqiptar. Shumica e këtyre fondeve nëse infiltrojnë në ekonominë shqiptare  e bëjnë të vështirë që shteti ynë me kapacitetet që ka, aq më tepër policia, i ka mundësitë për ta luftuar. Ndaj duhet një ritëm i shtuar dhe një mentalitet tjetër më inteligjent për të luftuar krimin e organizuar. Krimi i organizuar goditet aty ku i dhemb. Krimit të organizuar nuk i vjen keq ti heqësh kamerat, se i kishin ardhur koha për tu ndërruar. Krimit i vjen keq kur i bllokon paratë. Krimit nuk i vjen keq kur i kam dy armë, por i vjen keq kur i bllokon lekët.

Pra ka ardhur koha që të merret nga pikëpamja ekonomike lufta kundër krimit të organizuar dhe ti bllokon kapitali, sepse aty i djeg. Unë mendoj se duhet të merren financat me këtë punë. Dhe duhet të  ngrihet një Gardë Finance.