Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi do të marrë pjesë në takimin e planifikuar të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha këshilltari i tij politik Klisman Kadiu.

 

Megjithatë, Kadiu nuk saktësoi nëse në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe shefi i ekipit serb për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq.

 

“Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi nesër do të jetë në Bruksel”, thuhet në përgjigje.

 

Burime të Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë konfirmuar se është duke punuar në organizimin e këtij takimi.

 

Nga pala serbe ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen e tyre.

 

Takimi mes dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

 

Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t'i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

 

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të "finalizohen brenda një periudhe dyjavore"./REL