Policia e Durrësit në kuadër të operacionit “Plazh i lirë” ka sekuestruar 147 çadra dhe 294 shezlongë që ishin vendosur pa autorizim, në plazhin “Rëra e Bardhë”.
Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Durrësit bënë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh ekonomike, që kishin zënë hapësirën në plazh, në kundërshtim me ligjin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazh i lirë”, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin. Si rezultat, u konstatuan 3 raste të tjera të kësaj paligjshmërie, për të cilat u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, për 3 administratorë subjektesh ekonomike, konkretisht për shtetasit: Xh. Gj., 26 vjeçe, pasi kishte vendosur 42 shezlongë dhe 21 çadra, pa lejen përkatëse; A. B., 54 vjeç, pasi kishte vendosur 84 shezlongë dhe 42 çadra, pa lejen përkatëse; I. I., 49 vjeç, pasi kishte vendosur 168 shezlongë dhe 84 çadra, pa lejen përkatëse”, njofton Policia e Durrësit.
“Shezlongët dhe çadrat u sekuestruan nga shërbimet e Policisë. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, bënë të ditur Policia e Durrësit.
Policia e Shtetit apelon sërish, për të gjithë pronarët dhe menaxherët e lokaleve dhe hoteleve, që të mos zënë pa autorizim, hapësirat publike në plazhe, pasi do të përballen me sanksione. Gjithashtu, ftojmë pushuesit që nëse marrin dijeni për një shkelje të tillë, ta denoncojnë atë, në Komisariatin Dixhital ose në numrin pa pagesë 112.