Vrojtimi i sapopublikuar nga Banka e Shqipërisë mbi aktivitetin kreditues në vend, tergon se huamarrja për bizneset është shtrënguar gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me segmentin e individëve.

 

Kështu, bankat raportuan marzhe më të larta, kryesisht mbi kreditë me rrezik, shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë të nënshkruara me bizneset, rritën komisionet, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, si edhe përcaktuan kërkesa më të larta për kolateral në raport me kredinë e disbursuar.

 

Po ashtu, shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e dytë. Pothuajse të gjithë faktorët u raportuan të kenë ndikuar në këtë rënie. Të ardhurat nga ushtrimi i aktivitetit, perceptimi i bankave mbi rrezikun për gjendjen financiare dhe për perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset, si edhe statusi i kredive aktuale dhanë ndikimin më të lartë në shkallën e refuzimit të kredive për bizneset.

 

Shtrëngimi vjen në një moment kur kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e dytë. Kërkesë e lartë për kredi u raportua në segmentin e bizneseve të mëdha dhe në mbulimin e nevojave për likuiditet. Ndërkohë, kërkesa për kredi nga bizneset e vogla dhe të mesme ishte më e ulët.

 

Ndërkaq, standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit. Lehtësimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatore. Faktorët kryesorë që mbështetën lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët ishin trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar, si edhe perceptimi i bankave mbi zhvillimet aktuale e ato të pritura në tregun e banesave. Faktori kryesor që ndikoi në kahun shtrëngues ishte perceptimi i rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësit.