Në këto ditë pushimesh verore Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka preferuar tu drejtohet nxënësve me një mesazh sensibilizues dhe me një video, duke marrë shkas nga jeta pasive që ata priren të kenë gjatë kësaj periudhe.

 

Ministrja Kushi u kujton atyre se, përdorimi sa më pak i pajisjeve elektronike dhe jeta aktive i ndihmon në rritjen e shëndetshme fizike dhe mendore, duke u dhënë më shumë energji pozitive dhe siguri në vetvete.

 

“Uroj që të jeni duke kaluar ditë sa më të bukura në këto pushime verore së bashku me familjet tuaja! Në bregdet, mal, fshat apo qytet, kudo që të jeni, doja t’ju kujtoja që të kujdeseni për një përditshmëri sa më aktive, me lojëra tradicionale, lojëra ujore apo ecje në natyrë, për të ruajtur sa më mirë ritmin sportiv të shkollës.

 

Jam e bindur që sa më pak përdorim i pajisjeve elektronike dhe sa më shumë jetë aktive e sportive do t’ju ndihmojë në rritjen tuaj të shëndetshme mendore dhe fizike, në mënyrë që kur të ktheheni në shkollat tuaja në shtator të ndjeheni me energji pozitive, më të rritur dhe më të sigurtë në vetvete.

 

Me besimin se do të bëni edhe më shumë miq të rinj këtë verë, për një jetë sociale sa më të shëndetshme, ju uroj pushime të mbara”, shkruan ministrja Kushi, në mesazhin drejtuar fëmijëve.