Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përshëndeti sot qëndrimin e PD-së Dega Kukës për zgjedhjet vendore që pritet të mbahen në shtator për kryetarin e bashkisë së Kukësit.
Tabaku u shpreh se, të kërkosh që opozita të jetë e bashkuar nuk të bën as të shitur dhe as të blerë, por të përgjegjshëm ndaj qytetarëve
“Partia Demokratike Dega Kukës është treguar largpamëse edhe përbashkuese duke kërkuar vetëm një kandidat të së djathtës në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë Kukës”, theksoi Tabaku në reagim.
“Të kërkosh që opozita të jetë e bashkuar nuk të bën as të shitur dhe as të blerë diku, thjesht tregon përgjegjshmëri politike përballë qytetarëve. Për demokratët ajo do të thotë oferta më e mirë opozitare dhe jo një opozitë me copa”, nënvizoi ajo.
“Që në shtator 2022 kam kërkuar përgjegjshmëri dhe kam diskutuar mundësinë për të menduar për qytetarët dhe jo për ofiqarët. Kjo mund të arrijë vetëm duke qenë një alternativë”, shtoi Tabaku
“Sot, këtë na e kërkojnë edhe njerëzit! Gabimet e së shkuarës duhet të na bëjnë të mësojmë! Degradimi i qeverisjes lokale sidomos asaj në Kukës është një mundësi reale për një kandidat që përfaqëson më së miri vlerat e së djathtës”, përfundoi reagimin e saj Tabaku.