Dy javët e para të gushtit kanë shënuar një fluks të lartë pasagjerësh në Portin e Durrësit.

 

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur sot se “nga Terminali i Trageteve vetëm gjatë dy javëve të para të muajit gusht kanë hyrë 82, 977 pasagjerë dhe kanë dalë 45, 775 pasagjerë”.

 

“Tashmë fluksi është përqendruar në dalje nga vendi ynë drejt porteve italiane, ndërsa lundrimet janë duke operuar me lundrime të dyfishuara”, tha APD.

 

Fluksi i lartë i pasagjerëve drejt Shqipërisë ka bërë që Autoriteti Portual i Durrësit të shtojë linjat e operimit të trageteve dhe njëkohësisht edhe sportelet për përpunimin e të dhënave të pasagjerëve.

 

Nga data 20 korrik Porti i Durrësit operon me lundrime të dyfishuara me pesë tragete në ditë, duke e çuar numrin mesatarisht këto ditë në rreth 7 mijë pasagjerë në ditë.

 

Në terminalin e pasagjerëve janë marrë masat për të përpunuar me kapacitet maksimal, me 32 sportele, 20 për makinat dhe 12 sportele për këmbësorët./ATSH