Në Lushnje familjarët dhe njerëzit e afërt i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit, mes dhimbjes dhe lotësh 23-vjeçarit Klajdi Bitrit, që u vra të dielën në Ankona të Italisë nga një algjerian duke mbrojtur shokun e tij.
“Do ta ndjekim procesin gjyqësor në Itali që drejtësia të shkojë në vend”, kështu është shprehur ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës së tij në banesën e të riut.
Ministri i Brendshëm,Taulant Balla është shoqëruar për në shtëpinë e 23-vjeçarit nga kryetarja e bashkisë së Lushnjes Eriselda Sefa.
“Nuk gjej dot fjalë për të thënë atë që po kaloni. Unë jam nënë vetë dhe e di çdo të thotë një fëmijë. Kjo që bëra unë me stafin dhe ministrin është një detyrim moral. Ne do të donim që kjo gjë të mos kishte ndodhur… Bravo që u tregova kaq i fortë”, u shpreh Sefa e ulur pranë vëllait të Klajd Birtit.
“Është një dhimbje që kurrë s’ka për t’u shuar”, iu drejtua Balla familjarëve.
Pas apelit të babait të Klajdi Bitrit, Ministri i Brendshëm, ndërhyri për të nxjerrë pasaportën dhe në këtë mënyrë që Agim Bitri mundi të shkonte në Itali për të kryer procedurat e marrjes së trupit të pajetë të djalit në atdhe.
I riu u vra disa ditë më parë nga një algjerian me shtizën e peshkimit në përpjekje për të shuar një sherr me mikun e tij italian.