Policia e Tiranës njoftoi sot se është arrestuar një person, dhe janë shpallur në kërkim katër të tjerë, pasi dyshohet se kanë dhunuar një punonjës policie, duke e goditur në makinën private në të cilën ai udhëtonte bashkë me familjarë të tij.

 

Policia sqaron se pas një ndjekje intensive, forcat e komisariatit të Policisë numër 6, Tiranë, kanë arritur të arrestojnë 29-vjeçarin, që në bashkëpunim me 4 persona të tjerë të shpallur në kërkim, goditi ditën e sotme dy shtetas (njëri prej tyre punonjës Policie).

 

Gjatë operacionit “Direction”, u sekuestrohen 3 jelekë antiplumb, veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale angleze, një shkop gome si ato të Policisë, dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së 29-vjeçarit.

 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Besim Alla”, gjatë një konflikti disa persona kanë goditur shtetasit E. F., dhe B. F., dhe automjetin e tyre, dhe më pas janë larguar, kanë organizuar punën për kapjen e tyre dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Direction”. Pas një ndjekje intensive nga shërbimet e Policisë, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasi B. B., 29 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia.

 

“Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit B. B., 35 vjeç, Sh. B., 25 vjeç, B. B., 31 vjeç, dhe B. A., 34 vjeç. 29-vjeçari, në bashkëpunim me 4 shtetasit e tjerë, rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, në rrugën “Besim Alla”, për motive të dobëta, janë konfliktuar me shtetasit E. F., (punonjës Policie) dhe B. F., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, bënë të ditur Policia.

 

“Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit të arrestuar, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan 3 jelekë antiplumb, veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale angleze, dhe një shkop gome si ato të Policisë, dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedural”, përfundon njoftimi i Policisë.