Pas disa ditësh i shtruar në një spital privat në Tiranës, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë me mushkëritë, mësohet se ish-kryeministri Fatos Nano, ka shfaqur shenja përmirësimi të shëndetit.

 

Sipas burimeve pranë spitalit ku Nano po merr trajtim nga bluzat e bardha, tashmë ai nuk është më i intubuar dhe ndodhet në pavijonin e Reanimacionit. Edhe pse gjendja shëndetësore është më e stabilizuar, procedura e “Trakeostomisë”, sipas bluzave të bardha po jep rezultate optimiste për shëndetin e ish-kryeministrit.

 

Kjo procedure lejon kalimin e ajrit dhe oksigjenit drejt mushkërisë nëpërmjet aparatit të vendosur. Kjo mundësohet nga një tub që është i lidhur me respiratorin dhe trakenë e pacientit.

 

Megjithatë, mjekët shprehen të kujdesshëm se rehabilitimi i ish-kryeministrit ka një rrugë të gjatë.

 

Kujtojmë se, prej disa ditësh Nano u shtrua në spital, pasi prej kohësh vuan nga një sëmundje pulmonare, një sëmundje që vështirëson frymëmarrjen.

 

Fatos Nano ka qenë 3 herë kryeministër i vendit në periudha të ndryshme dhe u largua nga pushteti dhe drejtimi i Partisë Socialiste në vitin 2005.