Egjipti bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lejuar qasjen në ndihma humanitare në Rripin e Gazës të goditur nga lufta.

Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit njoftoi se kryediplomati Sameh Shoukry pranoi një telefonatë nga ministri britanik i Shtetit për Lindjen e Mesme, Lord Tariq Ahmad dhe ata diskutuan kushtet katastrofike humanitare në Gaza.

Shoukry theksoi domosdoshmërinë e “qasjes së plotë të ndihmave humanitare në Gaza”. ai u bëri thirrje palëve ndërkombëtare “të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të hequr pengesat për hyrjen e ndihmës”.

Egjipti, i cili kontrollon pikën kufitare Rafah me Rripin e Gazës, ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për pengimin e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

Shoukry tha se palestinezët po përballen me urinë, shënjestrimin pa dallim, si dhe shkatërrimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.

Ai paralajmëroi kundër çdo sulmi tokësor izraelit në Rafah në Rripin e Gazës jugore, ku mbi 1.4 milionë palestinezë janë strehuar nga lufta.

Sipas njoftimit të ministrisë egjiptiane, të dy palët theksuan domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi sa më parë në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Hamasi, i cili besohet se mban më shumë se 130 pengje izraelite, kërkon fundin e ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në këmbim të ndonjë marrëveshjeje të shkëmbimit të pengjeve me Tel Avivin.

Izraeli ka nisur një luftë në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor. Bombardimet izraelite që pasuan kanë vrarë të paktën 29.954 palestinezë dhe kanë plagosur mbi 70 mijë të tjerë me një shkatërrim në masë dhe mungesë të nevojave themelore.

Sipas OKB-së, sulmi izraelit ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa