Fyejt e Gramshit shpallen pasuri kombëtare.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, teksa shkroi në rrjete sociale, se “për tingullin e magjishëm, për mjeshtërinë e realizimit dhe traditën që trashëgohet brez pas brezi, fyejt e Gramshit shpallen pasuri kombëtare”.

Margariti tha se, “Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shqyrtoi kërkesën e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, dhe vendosi shpalljen e “Fyejve të Gramshit” “Kryevlerë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.

Kavalli ose fyelli i Gramshit është një ndër instrumentet më tërheqës e më të lashtë në fondin e artë të trashëgimisë muzikorë shqiptare, si dhe një ndër dokumentet më të rëndësishëm të muzikës instrumentale polifonike shqiptare.

Ky instrument konsiderohet si pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore tradicionale shqiptare dhe paraqet një ndër format më të hershme të polifonisë instrumentale.