Kryetari i Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet prej dhjetorit në arrest shtëpie ndërsa hetohet nga SPAK për dosjen “Partizani”, u shpreh sot në konferencë digjitale për mediet se një ndër akuzat e ngritura ndaj tij është se është korruptuar nga dhëndri, Jamarbër  dhe vajza e tij, Argita Malltezi në mënyrë të përvitshme, me pagesa qe janë dhënë për fondacionin e Liri Berishës “Fëmijët Shqiptarë”.

Në total sipas Berishës, vajza e tij Argita dhe dhëndri Jamarbër Malltezi kanë paguar në 12 vite rreth 118 mijë euro, të cilat sipas kreut të PD kanë shkuar për të kuruar fëmijët autikë.

“Kështu, në aktakuzën e tyre, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit tim pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, pra me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, drejtuese e të cilit është Liri Berisha”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se ka pasur përpjekje për t’i uzurpuar PD-së udhëheqjen.

“Skapi ndodhet në kontroll të plotë të krimeve që kryen dhe të politikës së Edi Ramës dhe të dyja janë të faktueshme”, u shpreh Berisha.

“Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë. I korruptuar është McGonigali që punoi për manipulimin e dosjes”, vijoi Berisha.

Berisha u pyet nga gazetarët për zgjedhjet e vitit 2025, se a do jenë lista të hapura apo të mbyllura dhe se a do kandidojë edhe Argita Malltezi.

“Në çdo listë për mua është njëlloj dhe nuk kam asnjë impresion, për sa i përket Argita Malltezit atë nuk e vendos unë, e vendos vetë ajo. Nëse dëshiron, primaret janë të hapura. Nuk ka asnjë pengesë, por nuk e di nëse ka ndonjë ambicie”,  përgjigj Berisha.

Ndërsa për lëvizjen e opozitës për lista të hapura, ish-kryeministri tha se do ta nisin sa më parë të munden.

“Do jetë një lëvizje e pandalshme në të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rikthimin e votës së lirë shqiptarëve. Shqiptarët kanë të drejtë plotësisht t’ia kërkojnë këtë PD-së. Shqiptarët nuk mashtrohen dot nga opozita e opozitës, që natën hyn në zyrat e Edi Ramës, dhe pastaj nga zyrat e Edi Ramës shkon në studio televizive për të vjellë vrer kundër opozitës. Kanë të drejtë t’ia kërkojnë PD-së, forcave të vërteta politike opozitare dhe ata do përmbushin këtë mision”, tha Berisha./ata