Sekretari për Çështjet e Financave dhe Ekonomisë, Prof. Petraq Milo tha se, “kategoria sociale më e diskriminuar e shoqërisë mbeten pensionistët, të cilët mbasi kanë kontribuar për disa dekada, përballohen me një masë të ulët të pensionit, dhe një kosto të lartë të jetesës”.

Në një deklaratë për shtyp, referuar statistikave, Milo tha se, gjatë periudhës 2013-2023, nuk ka pasur rritje reale të pensioneve si rezultat i rritjes ekonomike. Gjithashtu, sipas tij indeksimi i pensioneve për efektin e rritjes së çmimeve, nuk ka qenë i plotë, por i pjesshëm.

Sipas tij, rritja e pensioneve në periudhën 2005-2013 është disa herë më e lartë krahasuar me periudhën 2013-2023.

“Pensionet e pleqërisë për pensionistët në qytet në periudhën 2005 – 2013 janë rritur mesatarisht në 9.3 % në vit, ndërsa në periudhën 2013-2023 janë rritur mesatarisht 2.6 % në vit. Pensionet e pleqërisë për pensionistët në fshat në periudhën 2005-2013, janë rritur mesatarisht në 23.1% në vit, ndërsa në periudhën 2013-2023, janë rritur mesatarisht në 3.6% në vit”, tha ai.

Gjithashtu vijoi Milo, pensionet familjare në qytet, në periudhën 2005 – 2013 u rritën mesatarisht në 6.7% në vit, ndërsa në periudhën 2013-2023, u rritën mesatarisht në 2.9% në vit.

Pensionet familjare në fshat në periudhën 2005-2013 u rritën mesatarisht në 24.3% në vit, ndërsa në periudhën 2013-2023  u zvogëluan mesatarisht në -2.3% në vit.

Milio apeloi që qeveria do të duhet të konsideronte në rritjen e pensioneve rritjen reale ekonomike në periudhën 2013–2023 në masën 35.5%, si dhe indeksimin e pensioneve në rreth 40%, për të mbuluar rritjen e çmimeve, përfshi të atyre ushqimore.

“Qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në çdo muaj 7.991 lekë, dhe në zonat rurale në 3.426 lekë, për shkak të mosindeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike”, deklaroi Milo./ata