Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi përshëndeti sot deklaratën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në lidhje me reformën zgjedhore.

Ai nënvizoi se, deklarata e OSBE-së përfshin qëndrimin e partnerëve kryesorë ndërkombëtarë, në lidhje me reformën zgjedhore.

Ai gjithashtu mirëpriti gatishmërinë e organizatës për t’u angazhuar me ekspertizë në procesin e reformës, në përputhje me traditën dhe kontributin më shumë se 20-vjeçar të OSBE-së.

“Qëndrimi i OSBE-së që reforma zgjedhore të përfshijë të gjitha partitë dhe ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe ligjet e tjera duhet të materializojnë qëllimet e përbashkëta, është plotësisht në përputhje me qëndrimin e PD dhe opozitës që reforma zgjedhore të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse si në proces dhe në rregullat e përbashkëta për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh ai në një reagim në rrjetet sociale.

“Partia Demokratike kërkon, në të njëjtën frymë me qëndrimin e OSBE bërjen me konsensus të reformës, që opozita të caktojë vetë dhe jo të caktojë qeveria kush bashkëdrejton komisionin dhe përfaqësimin e saj në komision”, theksoi Bylykbashi./ata