Gjatë qëndrimit në Mynih, në kuadër të konferencës së sigurisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, është takuar me homologun e tij nga Mali i Zi, Dragan Krapoviç.

Peleshi njoftoi në rrjetet sociale se në takim u theksua se siguria rajonale vjen vetëm përmes anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian të të gjithë rajonit.

“Me homologun malazez Dragan Krapoviç diskutuam bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, shkruan Peleshi.

“Jo vetëm si partnerë të NATO-s, por edhe si fqinjë me një vizion dhe synim të përbashkët dakordësuam se bashkëpunimi rajonal përbën themelin e stabilitetit dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor”, bën të ditur Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë.

“Anëtarësimi në NATO dhe BE është rruga e vetme drejt sigurisë së të gjitha vendeve të rajonit. Bashkëpunimi dhe solidariteti janë thelbi i rrugës sonë për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha vendet e rajonit”, përfundon Peleshi postimin tij, duke ndarë dhe foto nga takimi./ata