Ministri i Kabinetit të Luftës së Izraelit, Gadi Eisenkot, tha se autoritetet izraelite duhet të ndalojnë së mashtruari veten dhe të arrijnë një marrëveshje për të rikthyer pengjet e mbajtura në Gaza.
Sipas gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, ministri citohet të ketë thënë gjatë një takimi të kabinetit të luftës se nevojiten "vendime të guximshme".
“Pengjeve po u mbaron koha dhe çdo ditë që kalon e ekspozon jetën e tyre në rrezik. Kjo është një kohë kritike për të marrë vendime të guximshme”, citohet të ketë thënë ministri në raportim.
Përderisa Eisenkot dhe ministri tjetër i Kabinetit të Luftës Benny Gantz mbështesin arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbim pengjesh me Hamasin, gazeta raporton se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Galant e kundërshtojnë këtë marrëveshje të mundshme.
Hamasi besohet se mban 136 izraelitë pas sulmit të tij ndërkufitar më 7 tetor.
Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës në të cilat vrau mbi 24 mijë palestinezë dhe plagosi mbi 60 mijë të tjerë.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 85 për qind e popullsisë së Gazës është e zhvendosur brenda vendit dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa