Më shumë se 50.000 njerëz demonstruan në tubimin “Hamburgu po ngrihet kundër ekstremizmit të djathtë dhe rrjeteve neonaziste”, të premten.
Protestuesit në Hamburg, duke mbajtur tabela me slogane kundër të djathtës ekstreme, shprehën mospëlqimin e tyre ndaj partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe figurës austriake të ekstremit të djathtë Martin Sellner.
Më herët u zbulua se politikanët e AfD-së dhe Sellner janë takuar fshehurazi në qytetin gjerman të Potsdamit për të diskutuar një plan që propozon dëbimin e miliona njerëzve me origjinë të huaj.
Demonstruesit, që përfaqësojnë një spektër të gjerë të shoqërisë, shprehën shqetësime për rritjen e racizmit, ksenofobisë dhe ekstremizmit të djathtë në Gjermani.
Shumë kërkuan mbylljen e menjëhershme të AfD-së, duke përmendur agjendën e saj të diskutueshme politike.
Organizatorët thanë se 80.000 pjesëmarrës ishin në demonstratë. Sipas vlerësimeve të policisë, megjithatë, numri ishte më shumë se 50.000.
Kritikët thonë se AfD-ja, e njohur për qëndrimin e saj kundër të huajve dhe muslimanëve, përbën kërcënim për strukturën sociale të Gjermanisë, duke nxitur debate në rritje rreth mundësisë së ndalimit të partisë.
Partia aktualisht mban 78 vende në Parlamentin Federal./aa