Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se gjashtë persona humbën jetën dhe 73 të tjerë u plagosën në sulmin që Rusia kreu ndaj kryeqytetit Kiev dhe qyteteve Kharkiv dhe Pavlohrad.
Përmes llogarisë të tij në median sociale, Zelenskyy bëri komente rreth sulmit me raketa që ushtria ruse ndërmori ndaj qyteteve të Ukrainës.
Duke bërë të ditur se vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit në vendet ku u përjetuan sulmet, Zelenskyy tha: "Momentalisht 22 persona janë plagosur në Kiev si pasojë e sulmit të armikut. Ndërsa në sulmin terrorist në Kharkiv sipas të dhënave paraprake kanë humbur jetën 5 persona, si dhe janë plagosur 51 të tjerë, përfshirë 4 fëmijë. Ndërkohë nga rrënojat u shpëtuan 27 persona".
Më tej Zelenskyy informoi se në Pavlohrad ka humbur jetën një person.
Gjithashtu edhe ministri i brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, në një postim nga llogaria e tij në median sociale vuri në dukje se në orët e mëngjesit ushtria ruse kreu sulm raketor ndaj qyteteve të Ukrainës.
Duke bërë të ditur se si pasojë e sulmit rus ka shpërthyer zjarr në ndërtesat e banimit dhe automjetet brenda dhe përreth kryeqytetit Kiev, Klymenko njoftoi se raketa ruse goditi dy ndërtesa banimi në qytetin Kharkiv.
Klymenko shtoi se në vendin e ngjarjes vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit dhe se sulmet janë regjistruar nga inspektorët e policisë. Më tej ai këto sulme i cilësoi si "sulme terroriste që shkaktojnë humbje të jetëve dhe që lënë pa shtëpi qindra njerëz"./aa