Administrata e SHBA-së ka theksuar se mirëpritet miratimin në parlamentin turk për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe se shitja e F-16 ndaj Türkiye-s është në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Türkiye-s dhe aleatëve të NATO-s.

Një zyrtar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, në një deklaratë për Anadolu vlerësoi projektligjin e miratuar në parlamentin turk për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe shitjen e F-16 ndaj Türkiye-s.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që nga fillimi ka dhënë mbështetje për modernizimin e flotës së F-16 të Türkiye-s.

"Kjo (shitja e F-16) do të rrisë ndërveprueshmërinë brenda NATO-s dhe është në përputhje me interesin kombëtar të SHBA-së. Kongresi ka një rol të rëndësishëm për shitjen e armëve ndaj vendeve të huaja dhe ne po punojmë me Kongresin mbi këtë çështje" tha zyrtari.

Departamenti i Shtetit deklaratë për Anadolun

Një prej zëdhënësve të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, për Anadolu theksoi se SHBA ka mirëpritur miratimin e parlamentit turk për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe se Suedia do t‘i shtojë forcë NATO-s.

"Presidenti Biden prej shumë kohësh ka qenë i hapur në mbështetjen e tij që ai ka dhënë për modernizimin e flotës së F-16 të Türkiye-s. Kjo shitje e mundshme do të mbështesë interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Türkiye-s dhe të gjithë aleatëve të NATO-s" njoftoi zëdhënësi.

Pasi theksoi se Kongresi ka një rol kyç për shitjen e armëve ndaj vendeve të huaja, zëdhënësi shtoi se disa anëtarë të Kongresit kanë shprehur hapur se "miratimi i anëtarësimit të Suedisë do të jetë një vlerësim kyç përpara shitjes së F-16 ndaj Ankarasë".

Blinken mirëpret miratimin e protokollit nga parlamenti turk për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një postim nga llogaria e tij X, u shpreh se "SHBA vlerëson vendimin e parlamentit turk për të miratuar protokollet e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Anëtarësimi i Suedisë do ta bënte aleancën më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë"./aa