Moti me borë dhe i ftohtë që ka përfshirë pjesët e brendshme të Kinës ka shkaktuar ndërprerje të transportit përpara Festës së Pranverës, kur intensifikohen udhëtimet mes qyteteve në vend.

Rreth 4.000 automjete u bllokuan mbrëmë për shkak të akullit në rrugë në provincën Hubei në brendësi të vendit, sipas televizionit shtetëror CCTV.

Në Wuhan, qendra provinciale dhe udhëkryq i rrjeteve të transportit, shumë shërbime ajrore dhe hekurudhore u pezulluan për shkak të akullit dhe pasagjerëve iu desh të prisnin me orë të tëra.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Wuhan Tianjin, disa pista u mbyllën përkohësisht për shkak të akullit dhe fluturimet u anuluan ose u vonuan.

Më shumë se 200 udhëtime janë pezulluar në dy ditët e fundit për shkak të motit me borë në stacionin hekurudhor Honkou, një ndalesë e shpeshtë për shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë.

Departamenti i Hekurudhave në Wuhan njoftoi se 3.000 punonjës ishin ngarkuar të pastronin borën nga shinat.

Vlerësohet se moti i ftohtë do të vazhdojë në shtet edhe për tre ditë të tjera.

Sipas lajmeve të agjencisë kineze të lajmeve Xinhua, një person ka humbur jetën dhe 13 janë plagosur nga shembja e borës së grumbulluar në çatinë e një magazine ku mbahej një panair në provincën Hunan.

Në traditën kineze, Festa e Pranverës është një “rit i kthimit në atdhe”.

Gjatë periudhës 40-ditore të Festivalit të Pranverës, e cila përfshin 15 ditë para dhe 25 ditë pas Vitit të Ri Hënor, miliona kinezë udhëtojnë në vendlindjet e tyre për të vizituar familjet e tyre./aa