Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u tregua sot kritikë ndaj atyre deputetëve socialistë që nuk përmbushin detyrën duke qëndruar pranë zgjedhësve.

Gjatë punimeve të Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama theksoi se karrigia dhe tryeza e kuvendit janë për t’u ulur për vendimarrjen, por detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë në lagjet, rrugët, shtëpitë dhe vendet ku jeton e punon komuniteti që i ka dhënë mandatin”.

“Puna e deputetit matet me takimet me komunitetin e njerëzit më në nevojë, grupet e interesit, anëtarësia, ku dora, fjala dhe urtësia e deputetit janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e jetës së çdo qelize të partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë asnjë gjë tjetër veçse shembulli i njerëzve që dëgjon njerëzit, që ka ambicien të zgjidhë edhe probleme të mëdha edhe halle të vogla”, theksoi Rama.

Kjo, sipas tij, vlen për çdo deputet pa dallim por mbi të gjitha duhet të vlejë për këdo që merr vlerësimin dhe ka nderin të jetë deputet i PS-së.

“Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që unë personalisht e konsideroj një privilegj të pakrahasueshëm me asnjë privilegj. Të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është për mua një borxh i jashtëzakonshëm i cili nuk lahet kurrë deri në fund. Unë nuk kam se si të rri dot asnjë orë rehat, përderisa nga ata që mua ma kanë bërë këtë nder, ka shumë që nuk janë rehat në atë orë. Kjo nuk është sot çështje natyre, por detyre”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi ndjesë sot të gjithë atyre që nuk janë deputetë por kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre që një grusht njerëzish të PS-së të jenë këtu sot si deputetë.

“Dua t’u kërkojë ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh dhe nuk e kanë përmbushur në kohë detyrën. Kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua kur shkoj në zonat e tyre, apo shkojnë në organizatat e partisë për të bërë një foto prezence kur zhvillohet një fushatë anëtarësimesh”, tha Rama.

“Kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin në zyrat e shtetit për punët e tyre, të familjes së tyre, të tarafit të tyre. Apo edhe për ata deputetë që qysh se kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë, duken në foltoren e Kuvendit një herë në hënë e flasin sikur kanë ardhur nga hëna, ndërsa takimet me njërizit i bëjnë vetëm me njëri- tjetrin, natyrisht për vatanin, por kryesisht për të rejat e fundit të portaleve për qeverinë”, shtoi Rama.

Rama kërkoi një ndjesë të veçantë, edhe për disa që u është bërë ves të bëjnë komentarorin e kolegëve e të qajnë halle karriere me dashakeqës lloj-lloj ndaj kësaj shtëpie”.

“Apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjitë e disa kanaleve dhe portaleve duke hedhur gurin e fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon”, tha Rama.

Rama u kërkoi ndjesë po ashtu kujtdo nga deputetët që nuk i takojnë këto fjalë, ndërsa shtoi se “fatmirësisht nuk janë të gjithë kështu”.

“Nuk janë të gjithë dembelë e moskokëçarës ndaj detyrave që ose e nderojnë deputetin bashkë me PS-në në sytë e zgjedhësve, ose e turpërojnë deputetin por edhe PS-në në sytë e gjithë njerëzve. Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët nuk do të kishim arritur shumëçka në këtë mandat të tretë dhe i kemi edhe deputetët që nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendime, as kur duhet t’i japin këmbëve për të takuar zgjedhësit”, shtoi ai.

Kryeministri veçoi shembullin e deputetit Vullent Sina.

“Vullnet Sina është njëri prej tyre. I ka në rregull punët e veta do thuhej në kafene, por në fakt në rregull i kishte edhe para se të hynte në familjen tonë. Ai nuk është i vetmi, por ja zura emrin sepse para disa kohësh më tha se donte ta mbyllte angazhimin e tij. Kurrë asnjëherë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale, por nuk e ka pasur problem të më shkruaj pas mesnate duke u kthyer i lodhur në një nga zonat më të thella e të vështira ku ka bërë më shumë se qeveria. Shembull të tillë nuk na mungojnë. Mbi shembuj të tillë do të ndërtojmë skuadrën e radhës, ku do të hyjmë jo thjesht për të marrë mandatin e katërt por për të marrë fitoren më shembullore”, shtoi ai./ata