Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot kantierin e aksit rrugor Korçë-Ersekë, ku punimet po ecin me ritme shumë të shpejta.

 

Gjatë inspektimit, ministrja Balluku shoqërohej nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi dhe kryetari i bashkisë së Ersekës, Erion Isai.

 

Ministrja Balluku tha se “jemi shumë të kënaqur me ecurinë e punimeve dhe mendohet ta dorëzojmë në qershor të 2023. Me infrastrukturën e duhur do të ketë një fluks qytetarësh që do të vijnë nga të gjitha qytetet për të vizituar Ersekën”.

 

Sipas saj, puna në kantier është shumë e avancuar.

 

“Pjesa e parë e lotit të dytë ka përfunduar në 99%. Ndërsa tek ky lot është realizuar 77% ecuria e projektit. Është një kantier i konsoliduar”, shtoi Balluku.

 

Drejtori i ARRSH-së Berberi tha se “në të gjithë gjatësinë e rrugës është punuar paralelisht me disa grupe të veçanta. Në pjesën e parë të lotit të dytë kanë ngelur vetëm kunetat anësore, asfaltimi, vijëzimi dhe vendosja e tabelave”.

 

Kryebashkiaku Isai tha se “rruga Korçë-Ersekë është kryefjala e një vëmendje që i ka munguar Kolonjës në të gjithë historinë. Pa u asfaltuar rruga brenda këtij viti në qytet kanë filluar punën 4 hotele të reja, 2 prej të cilëve janë struktura me deri në 100 shtretër që do të thotë ndjehet rezultati i rrugës”.

 

“Nga zyrat e turizmit të bashkisë dhe ministrisë bëhet e ditur se në qershor 2021 dhe korrik 2022 në Kolonjë kanë fjetur 21 mijë turistë dhe kjo rrugë po sjell një hap jo vetëm për turizmin por dhe për ekonominë. Po rrit shumë kërkesën dhe ne kemi kontakte serioze për eksportin e verës së Leskovikut në SHBA”, tha Isai.

 

Aksi rrugor Korçë-Ersekë kishte një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra.

 

Ndërtimi i kësaj rruge nxit zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.