Avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv ka deklaruar se gjatë kësaj jave do të dorëzojë në SPAK një kallëzim penal ndaj deputetit të Rithemelimit, Flamur Noka për atë që e quajti ‘afera e pasaportave’.

Beqiri tha se në kohën kur ka qenë ministër i Brendshëm, Noka ka shkelur ligjin në kontratën për pasaportat dhe kartat e identitetit duke përvetësuar mbi 50 milionë euro. Sipas Beqirit, Noka ka bashkëpunuar me Berishën.

"Do ketë punë SPAK-u të merret këto ditë me të se do i shkojë kallëzimi penal për këtë aferë ndër më të rëndat.  Në aferën e pasaportave dhe kartave të identitetit buxheti i Shqipërisë ëshë zvogëluar me mbi 50 milionë euro sepse kontratën këta e bënë me një firmë private prej së cilës morën pjesën e vetë dhe ajo firmë private nuk duhej të qëndronte më shumë se 5 vite. Por këta thyen çdo ligj e normë. E përsëriten kontratën, e bënë edhe për 10 vite të tjera, në kohën kur Noka ishte ministër i Brendshëm. I ka bërë bashkë me Saliun, i morën lekët e kartave të ID dhe pasaportave. Dëmi financiar ishte mbi 50 milionë euro. Tallet me djersën e shqiptarëve, një kat atje tek pallati i digës së liqenit, ia jep Shkëlzen Berishës dhe katin tjetër e merr për vete. Thotë se e bleu 134 mijë euro por vlera reale është 1.2 milionë euro. Nuk është ky pastrim i parave të pista? Kjo është vepër penale e dukshme. Kjo do shkojë në SPAK shumë shpejt

Sipas Beqirit, nëse SPAK nis hetimet për këtë aferë, ndaj Flamur Nokës do të rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, shpërdorim detyrë në bashkëpunim dhe pastrim parash.

Ndër të tjera, avokati rrëfeu se pas kallëzimeve që ka bërë në SPAK ndaj Berishës, Metës apo Monika Kryemadhit, ka pasur kërcënime me jetë nga persona të ndryshëm. Madje kërkoi që SPAK të përshpejtonte ritmin e hetimeve dhe ta merrte në mbrojtje të posaçme. 

"Të mbash sehir në një situatë të tillë dhe të mos e ndjekësh krimin deri në fund, na pret neve që t'i cojmë kallëzimet. Kur ia cojmë kallëzimet minimumi të na marrë në mbrojtje nga këta kriminale që na mbytën me telefonata drejtpërdrejtë, na mbytën me kërcënime do të zhduk atë do të zhduk këtë"- zbuloi Beqiri.