Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2023 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) u rritën me 35% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 26.6 % më shumë krahasuar me vitin 2022.

Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5 % të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9 % që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.

Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja industrisë turistike. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.

Në fund të vitit 2023 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.43 milionë, një rritje me 4.6 % krahasuar me një vit më parë.

Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5 %. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 87 % të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve./ata