PD ka depozituar në Kuvend një projektligj të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili ka për qëllim të rregullojë statusin e minatorit në Shqipëri, duke siguruar mbrojtje të veçantë sociale dhe përmirësimin e kushteve të punës për këtë grup profesional, për shkak të natyrës së rrezikshme dhe specifike të punës që kryejnë.

Projektligji sipas Partisë Demokratike është një shtysë dhe presion për qeverinë dhe mazhorancën socialiste, që të plotësojë një premtim të pambajtur. PD në pr/ligj kërkon që paga e minatorëve të jetë jo më pak se dyfishi i pagës minimale në vend.

Propozimi i PD-së synon t’u japë minatorëve statusin dhe mbështetjen që kërkojnë prej kohësh, duke garantuar të drejtat dhe mbrojtjen sociale të nevojshme për punën e tyre të vështirë. Pr/ligji i propozuar përbëhet nga 16 nene.

Deputetë e PD që e kanë nënshkruar këtë projektligj janë, Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa, Edi Paloka, Xhelal Mziu, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku dhe Lefter Gështenja./ata