Në Shkup filloi programi i trajnimit për përpunimin e gurit dhe prodhimin e bizhuterive të Anadollit "Nga Mjeshtri te Çiraku".

Në hapjen e programit të trajnimit të organizuar nga Instituti Yunus Emre morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, instruktorë, studentë dhe të ftuar.

Në fjalën e tij, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy tha se programi synon t'u sigurojë pjesëmarrësve nga e gjithë Maqedonia e Veriut aftësi të rëndësishme në fushën e përpunimit të gurit, i cili është element i domosdoshëm i kulturës antike të Anadollit.

Ai tha se bota e gurëve të çmuar dhe bizhuterive nuk është vetëm një profesion profesional, por edhe një trashëgimi dhe traditë anadollake. "Paraardhësit tanë zotëruan artin e shndërrimit të gurëve të papërpunuar në bizhuteri të rralla, gdhendën aftësitë e tyre në këta gurë dhe transferuan njohuritë dhe aftësitë e tyre te mendjet e reja në marrëdhënien mjeshtër-çirak. Ky program synon jo vetëm të ruajë zanatin tonë të lashtë dhe t'ua përcjellë brezave të rinj, por edhe të sigurojë të ardhme të ndritur për rininë tonë", tha Ulusoy.

Ambasadori turk theksoi se pjesëmarrësit e kursit do të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Maqedoninë e Veriut dhe t'i shtojnë vlerë ekonomisë së vendit në vend që të kërkojnë të ardhmen e tyre në një vend tjetër dhe falënderoi ata që kontribuuan në ofrimin falas të programit, i cili ka çmim të lartë ekonomik.

Koordinatori i Institutit "Yunus Emre" në Shkup, Arif Konak tha se si institut do të vazhdojnë të punojnë me të gjitha forcat edhe sot, sikurse dje, për t'i mbajtur gjallë këto vlera dhe për t'ua përcjellë brezave të ardhshëm.

Duke dhënë informacion për punën e institutit, Konak u shpreh se krahas aktiviteteve të tjera të tij, ka shumë trajnime që do t'i ndihmojnë njerëzit të fitojnë një profesion.

Ai thekson se do të fillojnë një aktivitet shumë të rëndësishëm trajnues në Shkup. "Studentët dhe kursantët tanë që marrin pjesë në këtë trajnim, i cili quhet program trajnimi për përpunimin e gurit dhe prodhimin e bizhuterive të Anadollit, nga mjeshtri te çiraku, nën koordinimin e institutit tonë, kursistët do të mbarojnë kursin me një byzylyk ari në krahë në fund të kursit dhe do të bëhen nga nxënës në mjeshtër", tha Konak.

Në hapjen e programit të trajnimit, i cili do të zgjasë afërsisht dy javë, edukatorët dhanë informacione për projektin./aa