Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryesuar nga Mimi Kodheli dhe anëtarët Xhemal Qefalia dhe Bardhyl Kollçaku, mori pjesë në takimin e përbashkët të të gjitha komisioneve të AP NATO.

Takimi u zhvillua në Bruksel të Belgjikës në datat 19-21 shkurt 2024 dhe gjatë aktivitetit si çdo vit, kryetarët e delegacioneve u takuan në selinë e NATO-s me Jens Stoltenberg, Sekretarin e Përgjithshëm si dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut.

“Duhet ta përgatisim NATO-n për gjeneratat e ardhshme. Ne duhet ta përgatisim atë që të jetë më e fortë se kurrë. Neni 5 është dhe do të mbetet gur themeli i sigurisë sonë të përbashkët. Një për të gjithë. Të gjithë për një. Në çdo rrethanë”, nënvizoi presidenti i AP NATO.

“Duhet të investojmë më shumë në sigurinë tonë. Ne duhet të ndërtojmë industritë tona të mbrojtjes. Duhet të përfitojë edhe ekonomitë tona. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ne duhet të sigurohemi që paratë të shpenzohen mirë”, ishte thirrja edhe e Sekretarit të Përgjithshëm.

Aleanca përgatitet për një Samit vendimtar të NATO-s në Uashington, DC në korrik dhe diskutimet u përqendruan gjithashtu në nevojën për mbështetje të palëkundur për Ukrainën dhe për transformimin e vazhdueshëm të NATO-s.

Asambleja ka kërkuar prej kohësh krijimin e një Qendre të Qëndrueshmërisë Demokratike në Selinë e NATO-s për të shërbyer si një platformë për ndarjen e burimeve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira midis aleatëve dhe partnerëve të tyre.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu pranimin e Suedisë në NATO, si dhe tema të tjera si angazhimin dhe mbështetjen e partnerëve dhe aspirantëve të NATO-s në Ballkan, Evropën Lindore, rajonin Indo-Paqësor, bashkëpunimi NATO-BE, reformat për strukturës komanduese të NATO-s, roli i aftësive bërthamore të NATO-s në parandalim si dhe komunikimet strategjike dhe fushatat kundër dezinformimit.

Delegacioni nga Kuvendi i Shqipërisë u shoqërua në aktivitet nga Ilir Gjoni, ambasador në Përfaqësinë e Përhershme të Shqipërisë në NATO./ata