Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh sot se, Partia e Lirisë përkrah protestën e minatorëve.

“Ne i mbështesim të gjitha propozimet e minatorëve të mashtruar nga “Rilindja”, veçanërisht për miratimin e statusit të minatorit, të përfitimit të 135 % të pagës minimale, si dhe të garantimit të plotë të shërbimeve shëndetësore falas, përfshi ilaçet për kurimin e sëmundjeve kronike që u janë shkaktuar nga nëntoka”, tha ai në një deklaratë për mediet.

Blushi theksoi se, “Partia e Lirisë ka nisur një betejë pa kthim politike, parlamentare, ligjore dhe institucionale për të mbrojtur dhe rivendosur të gjitha të drejtat e pensionistëve duke garantuar jo vetëm mirëqenien e tyre, por edhe dinjitetin që ata meritojnë në të ardhmen”.

“Pensionistët dhe grupet në nevojë janë varfëruar më shumë si për shkak të mosrritjes së duhur të pensioneve dhe përfitimeve sociale, ashtu edhe për shkak të rritjes së çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor”, tha Blushi.

“Në total indeksimi dhe rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5 % në fund të vitit 2023, krahasuar me fundvitin 2013”, theksoi Blushi./ata