Ushtria izraelite ka njoftuar se ka përfunduar operacionin e saj ushtarak në spitalin Nasser në qytetin Khan Younus në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Ushtria në një njoftim pretendon se forcat izraelite konfiskuan ilaçe të papërdorura të mbyllura që mbanin emra pengjesh izraelite gjatë bastisjes në spital.

Sipas njoftimit të ushtrisë izraelite, rreth 200 “terroristë” dhe të dyshuar u arrestuan dhe u sekuestruan armë gjatë operacionit.

Ushtria izraelite bastisi objektin mjekësor më 15 shkurt pas një rrethimi disa javor, duke detyruar mijëra palestinezë të zhvendosur brenda spitalit të ikin nën bombardimet e forta izraelite.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza tha se tetë pacientë kanë vdekur në spital javën e kaluar për shkak të mungesës së oksigjenit mes një bastisje izraelite në kompleksin mjekësor.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.690 palestineze, ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa