“Ditë takimesh intensive në Indi, vend me të cilin mundësitë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike e politike janë të mëdha”, e cilësoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ditën e fundit të vizitës zyrtare në Indi, ku pati një bashkëbisedim me median vendase.

Ministri, gjatë bashkëbisedimit nënvizoi se janë të gjitha mundësitë për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike me Indinë.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një vizitë pune 3-ditore (21-23 shkurt) në Indi, ku mori pjesë në edicionin e 9-të të “Raisina Dialogue”, një ndër konferencat më kryesore të Indisë, mbi gjeopolitikën dhe ekonominë.

Ai zhvilloi disa takime me homologët dhe ekspertët më të njohur globalë, për të diskutuar mundësitë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe partneriteteve dypalëshe në sektorë të ndryshëm.

Gjatë kësaj vizite, ministri Hasani u takua me kryeministrin Arvind Kejriwal, ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, dr. S. Jaishankar, drejtues të kompanive më të mëdha indiane në fushën e teknologjisë, shëndetësisë, arsimit etj.

India është një partner tregtar i rëndësishëm i Shqipërisë, furnizuesi i katërt më i madh gjatë viteve të fundit për tregun shqiptar. Gjatë vitit 2023 norma e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve arriti 24.9 % më shumë se një vit më parë./ata