Në Universitetin “Aleksandër Mosiu” në Durrës ka nisur puna për ndërtimin e Fakultetit të Studimeve Profesionale.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, e cila ndau pamje nga nisja e punimeve si dhe nga projekti i godinës së këtij fakulteti.

“Po investojmë për ngritjen e një fakulteti të ri me 45 auditorë, 15 laboratorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente për 1700 studentë dhe 80 pedagogë e staf akademik”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se “me buxhetin e këtij viti, investojmë 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës akademike, ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor në arsimin e lartë”.

Fakulteti i Studimeve Profesionale është hapur me vendim të Këshillit të Ministrave nw 2006, si një nga njësitë kryesore të Universitetit “Aleksandër Moisiu” (UAMD). Fillimisht njihej si Shkollë e Lartë Profesionale. Që nga viti 2010 ka ndryshuar status në “Fakultet i Studimeve Profesionale”. Si ofruesi i arsimit profesional, ky Fakultet, synon krijimin e një sistemi modern dhe cilësor të arsimit profesional në vend. Një sistem i tillë do të kontribuojë në krijimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive profesionale dhe qytetarisë së të rinjve, nëpërmjet ofrimit të kualifikimeve profesionale, jo vetëm në përputhje me kërkesat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, por dhe më gjerë./ata