Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi vazhdoi denoncimet e forta për mega-aferën e inceneratorit të Tiranës.

Këtë herë, Këlliçi denoncoi 7 raste konkrete se ku fshihen paratë publike që janë vjedhur nga ky djegës fantazmë.

Jam sot para jush për të bërë publike disa fakte të rënda penale lidhur me hetimin tashmë 4 vjeçar të aferës së shekullit, atë të inceneratorit fantazmë të Tiranës.

Pasi SPAK u shpreh se e ka tejet të vështirë për të gjetur dhe sekuestruar paratë publike, të vjedhura nga prestanomet Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ne sot po u japim 7 raste konkrete se ku fshihen paratë publike.

 

Në korrik të vitit 2021, kompania e famshme ITS lidh një kontratë me subjektin “Llanaj Ndërtim” sh.p.k. Objekti i kësaj kontrate ishte që kompania e Klodian Zotos do të merrte përsipër pagesën e depozitimit të 85.000 ton dhera në landfillin e Sharrës, ndërkohë që subjekti për këtë pagesë do të përfitonte në këmbim 500 m2 ndërtim në një prej projekteve të ndërtimit të kësaj kompanie në Tiranë.

Në dhjetor të vitit 2021, Klodian Zoto arratiset nga vendi, pasi doli urdhër-arresti i lëshuar ndaj tij. Kompania ITS u vu nën sekuestro preventive dhe administrim shtetëror, duke e bërë të pamundur që këto asete të zhduken pa suportin, apo urdhrin e pronarit faktit të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj.

Për administrimin e këtyre aseteve, që SPAK mesa duket ka “harruar” t’i sekuestrojë, Taulant Balla tentoi të emëronte në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, Ferdinand Tarazhin, ish-drejtorin e landfillit të Sharrës.

 

I kapur në flagrancë nga opozita, Balla u detyrua të ndryshonte këtë emërim kriminal, brenda ditës.

Deri më sot, i kemi faktuar SPAK-ut se ku gjenden paratë, në Bullgari, në Maltë, në Turqi, në Holandë, në Zvicër, në Hungari dhe së fundmi në Shqipëri. Këto para kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë për blerjen e zgjedhjeve, manipulimin e opinionit publik përmes kapjes së mediave, siç tregon rasti flagrant i medias së Karlo Bolinos apo pagesave për analistët të cilët paturpësisht mbrojnë çdo natë këtë aferë në debatet televizive dhe guxojnë të kërcënojnë edhe opozitën që denoncon këtë mega-aferë.

 

Drejtuesi i SPAK Altin Dumani, jo më vonë se dita e sotme duhet të sekuestrojë këto 7 apartamente dhe çdo apartament tjetër në kullat e Tiranës ku janë të fshehura paratë publike, dhe t’ia japë familjeve të cilat ende sot pothuaj 5 vite pas tërmetit të 2019, dergjen nëpër çadra, apo në dyert e Bashkisë Tiranë.

Garantojmë qytetarët, se paratë që nuk i ndjek dot SPAK-u, do vijojmë t’i ndjekim ne. Dhe sërish për t’ia lehtësuar punën SPAK-ut, fill pas kësaj deklaratë, ky informacion do t’i përcillet zyrtarisht z. Dumani.