Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Spiropali u shpreh se, ky është një investim me infrastrukturë moderne për flotën shqiptare të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve shqiptarë.

“Si baza më e madhe e NATO-s në rajon, kjo infrastrukturë e rëndësishme, jo vetëm që rrit profilin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin e vendit për paqe dhe siguri në rajon, duke u kthyer në një aset të vyer të Aleancës”, theksoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale./ata