Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar bënë homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, me rastin e përvjetorit të 26-të të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas homazheve tha se Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit shqiptar, epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit të Kosovës dhe epope që simbolizon lirinë.

Osmani tha se Familja Jashari do të mbetet përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë pas.

"Siç e shihni jo vetëm përgjatë epopesë, por edhe periudha të ndryshme të vitit, kemi fëmijë nga shkolla anembanë Kosovës që vinë këtu për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t'u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë e guximin e tyre. Lavdi përjetë komandantit Adem Jashari e gjithë anëtarëve të familjes Jashari, e gjithë të rënëve e dëshmorëve të tjerë të UÇK-së", ka thënë Osmani.

Kryeministri Kurti tha se në Prekazin heroik kthehemi që të kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë, të cilën e gëzojmë.

"Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes", tha ai.

Duke çmuar lartë sakrificën, vetëflijimin e vetëmohimin e Jasharëve, kryeministri Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare është në themelet e çlirimit të Kosovës dhe se ajo paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen kombëtare.

Pas homazheve, kryeministri Kurti së bashku me presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari.

Në nderim të Epopesë së UÇK-së dhe në kujtim të komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, Qeveria e Kosovës, datat 5, 6 dhe 7 mars po i shënon me manifestime të ndryshme gjithëpopullore./aa