Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e së martës, në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim dhe miratoi Aktin Normativ nr. 1 “Për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e vitit 2024”.
Deputetja Milva Ekonomi, në cilësinë e relatores, detajoi ndryshimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2024, në rialokimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, reduktimin me 4 miliardë lekë të deficitit.
Ajo argumentoi nevojën e rishikimit të buxhetit, me qëllim reflektimin në buxhetin vjetor të riorganizimit të ministrive të reja, sipas fushave të përgjegjësisë funksionale përkatëse, si dhe nevoja për disa rishikime në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit të vitit 2024.
“Akti Normativ nr. 1 “Për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2024” sjell rritje të të ardhurave të përgjithshme të buxhetit me 10.7 miliardë lekë; rritje të shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit me 6.7 miliardë lekë dhe redukton deficitin buxhetor me 4 miliardë lekë”, u shpreh Ekonomi.
Gjithashtu, theksoi Ekonomi, stoku i pritshëm i garancive në fund të vitit 2024, rritet me 4 miliardë lekë për mbështetjen me garanci shtetërore të huas së bizneseve private në sektorin e industrisë përpunuese./ata