Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrtoi dhe miratoi sot Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Q/ataendrore”.

Projektligji në fjalë u prezantua nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj, e cila gjatë fjalës së saj u shpreh se qëllimi i projektligjit është njohja e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

“Nëpërmjet ratifikimit të kësaj marrëveshjeje synohet që të bëhen pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë rregullat për njohjen automatike të dëshmive të kualifikimeve formale, bazuar në kushtet minimale të trajnimit brenda palëve për akses dhe ushtrim të profesionit të rregulluar, si dhe kushtet minimale të harmonizuara të trajnimit në një ose më shumë palë të tjera dhe që lejojnë mbajtësit e kualifikimit në fjalë të ndjekin të njëjtin profesion në një palë të ndryshme nga pala ku ata kanë marrë kualifikimet e tyre profesionale”, tha Kapaj.

Marrëveshja vjen në kuadër të Procesit të Berlinit. “Kjo marrëveshje është miratuar, në parim, me vendimin nr. 579, datë 11.10.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”. Në vijim marrëveshja është nënshkruar në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, më 16.10.2023, në Tiranë”, bëri me dije Kapaj.

Relatorja e çështjes, deputetja e PS, Dasantila Tahiraj, shprehu vlerësimet për projektligjin në fjalë dhe ftoi kolegët të votojnë pro kësaj marrëveshje. Ndërsa deputetja e PD, Merita Bakiu, e cila gjithashtu shprehu mbështetjen ndaj kësaj marrëveshje, ngriti edhe disa pyetje ndaj përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për projektligjin.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, miratuan Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2021-2024, të mbajtur më 10 nëntor 2020 në Sofje.

Tregu i Përbashkët Rajonal bazohet në arritjet e Zonës Ekonomike Rajonale (REA) si iniciativa e parë rajonale e këtij lloji. Agjenda ka një efekt transformues duke e vendosur rajonin në hartë për investitorët globalë, duke krijuar kështu vende pune, duke ofruar zgjedhje më të mëdha me çmime më të ulëta për konsumatorët e tij dhe duke u mundësuar profesionistëve të punojnë në të gjithë rajonin.

Plani i Veprimit për Zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal përbëhet nga veprime të synuara në katër fusha kryesore, si më poshtë:

1. Zona e tregtisë rajonale: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, duke përfshirë masat ndërsektoriale, të tilla si korsitë e gjelbra, për t’u përafruar me rregullat dhe standardet në përputhje me BE-në dhe për të ofruar mundësi për kompanitë dhe qytetarët. Projektmarrëveshja, që propozohet të miratohet, vjen si rezultat i angazhimit të marrë për lëvizjen e lirë të shërbimeve e të profesionistëve.

2. Zona rajonale e investimeve, për të harmonizuar politikat e investimeve me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe për të promovuar rajonin tek investitorët e huaj.

3. Zona digjitale rajonale, për të integruar Ballkanin Perëndimor në tregun digjital panevropian.

4. Zona rajonale industriale dhe inovative, për të transformuar sektorët industrialë, për të formuar zinxhirët e vlerave të cilave u përkasin dhe për t’i përgatitur ata për realitetet e së sotmes dhe sfidat e së nesërmes./ata