Drejtori i përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme britanike, Bas Javid u prit sot në Tiranë, nga Saimir Boshnjaku, drejtor i departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit.

Ambasada britanike në Tiranë bëri të ditur se, Javid u befasua me strukturat që janë ngritur bashkërisht nga oficerët britanikë dhe shqiptarë për të përpunuar të dhënat e shtetasve shqiptarë që kthehen nga Mbretëria e Bashkuar, pa të drejtë qëndrimi në këtë vend.

Puna në partneritet ka qenë absolutisht çelësi i suksesit në reduktimin me mbi 90% të numrit të shqiptarëve që udhëtojnë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, thekson ambasada britanike.

Më pas drejtori i përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme britanike, Javid u takua me drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli për të diskutuar masat e ndërmarra  nga Shqipëria për të luftuar kontrabandën dhe se si ndihma e Mbretërisë së Bashkuar po mbështet përpjekjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërsa, në takimin me kreun e Policia e Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, drejtori i përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme britanike, Bas Javid ra dakord për të intensifikuar metodat mbi të cilat, agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta, përfshirë krimin e organizuar dhe emigracionin e paligjshëm./ata