Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza ka nisur nga sot grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të vlefshme për Kampionatin Europian 2024 për këtë grupmoshë, ku Shqipëria është shortuar në grupin B2 në Ligën B, së bashku me Skocinë, Lihtenshtajnin dhe Qipron.
Trajneri i ekipit, Kreshnik Krepi ka grumbulluar 20 lojtare për këto ndeshje të rëndësishme, ku vajzat kuqezi nën 19 vjeçare do të kërkojnë të ngjiten në Ligën A për herë të parë. Baza e futbollisteve që kanë marrë ftesë nga trajneri shqiptar janë nga klube të kampionatit shqiptar, ndërsa 5 prej tyre aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, me ekipe si Leverkusen, Orion, Creighton, Atletico Club Amsterdam dhe Malisheva në Kosovë.
Grupi kuqezi do të grumbullohet në Durrës, në kompleksin “Tropikal”. Ndeshja e parë e Shqipërisë U-19 do të jetë ndaj Qipros, më 3 prill në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 15:30. Pas tri ditësh, më 6 prill, Kombëtarja e vajzave do të përballet me bashkëmoshataret e Lihtenshtajnit, po në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 15:30. Më 9 prill do të luhet edhe sfida e fundit e Shqipërisë në këtë grup, ku vajzat kuqezi do të luajnë ndaj vajzave të Skocisë. Ndeshja mbyllëse do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 15:30.
Në rast se Kombëtarja shqiptare U-19 renditet e para në grupin B7, atëherë siguron edhe ngjitjen në Ligën A dhe do të ketë shanse reale për t’u kualifikuar në Europianin e ardhshëm për këtë grupmoshë.
Të gjitha ndeshjet e grupit B6 do të luhen në Shqipëri në datat 3, 6 dhe 9 prill, teksa takimet e Shqipërisë do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa ndeshjet e tjera në “Shtëpinë e Futbollit”./ata