Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet ku si pasojë kanë humbur jetën 8 persona.
Sipas njoftimit të policisë, 7 persona dyshohet se janë shtetas nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra.
“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas. (7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendngjarje ka shkuar edhe Drejtori i Policisë së qarkut Gjirokastër, Ardian Çipa i cili ka dhënë detaje të tjera në lidhje me rrethanat e aksidentit tragjik.
“Rreth orës 02:20 të datës 2 prill në afërsi të Këlcyrës, patrulla këmbësore e stacionit policor Këlcyrë ka hasur një automjet, i cili po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë në drejtim të Përmetit. Patrulla e Policisë, e cila ishte me shërbim për kontrollin e territorit në aksin Përmet-Këlcyrë, me automjetin e vet e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes. Automjeti ka rënë në afërsi të lumit Vjosa”, tha ai.
Çipa shtoi se drejtuesi i automjetit dyshohet se është nga Shkodra.
“Paraprakisht, dyshohet se drejtuesi i automjet dyshohet se është nga qyteti i Shkodrës, kurse personat e tjerë dyshohet se janë emigrantë të paligjshëm. Nuk mund të japim një konkluzion sa i takon shpejtësisë së automjetit. Jemi ende duke kryer veprimet në vendngjarje. Numri i viktimave është i lartë dhe po merren shumë prova për të sqaruar në mënyrë të plotë rrethanat”, tha Çipa./ata