SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq çështjen e ish-kryetarit të bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe 4 zyrtarëve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme bën të ditur se ish-kryebashkiaku i Himarës akuzohet për “Shpërdorim detyre” kryer dy herë dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Kurse, Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzohet për shpërdorim detyre, kryer 2 herë.

Bilbil Aliaj, ish Drejtor i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë, në kohën e kryerjes së veprës penale, po ashtu akuzohet për shpërdorim detyre.

Vezir Gjikokaj, ish Jurist i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë, në kohën e kryerjes së veprës penale, shpërdorim detyre.

Stavri Mëhilli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’.

Sipas SPAK, teksa ishte kryebashkiak, Goro, ka regjistruar një sipërfaqe trualli prej 5512 m2 në kundërshtim me ligjin. Në një episod të dytë, ai dyshohet se ka mbivendosur mbi një pronë shtet një sipërfaqe prej 5080 m2. Të dyja këto sipërfaqe trualli u përdorën më pas për llogari të një investimi strategjik.

Socialisti Goro mbajti detyrën si kryetar i Bashkisë Himarë edhe pas zgjedhjeve të vitit 2023, për shkak të arrestimit të Fedi Belerit, i cili i fitoi ato. Pas arrestimit të Goros dhe dorëheqjes së dy kryetarëve të komanduar, në Himarë u zhvilluan zgjedhje të reja, të fituara nga kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo./A2News