Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit të Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, organizatë ndërkombëtare me seli në Strasburg të Francës.

Gjithsej 171 deputetë të Asamblesë Parlamentare votuan për raportin e Bakoyannis, kundër ishin 29 deputetë, ndërsa 11 deputetë abstenuan.

Kosovës tani i ka mbetur vetëm një hap për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që është votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm, i cili pritet të hyjë në rend dite më 16 maj të këtij viti.

Dora Bakoyannis, e cila e përpiloi raportin për Kosovën, ka thënë se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Përfaqësuesja e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Biljana Pantiq, e ka quajtur hipokrite raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka 46 shtete anëtare me gjithsej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 14 që nuk e njohin ende atë.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi i vitit 2022 kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë./aa