Shqipëria ka hapur tre ambasada të reja në botë, sipas një njoftimi të kryediplomatit Igli Hasani. Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë.

Në Këshillin e Ministrave, sot miratuam hapjen e ambasadave në këto tre shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë”, shkruan njeriu që drejton Ministrinë e Jashtme shqiptare.

Po pse këto tre ambasada të reja, një në Afrikë e dy në Azi?

“Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së tre përfaqësive të reja”, arsyeton Hasani.

Më tej, ai ofron shifrën e përfaqësivve diplomatike shqiptare në botë.

“Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, nëntë konsullata të përgjithshme dhe shtatë misione të përhershme”. /tesheshi.com/